Skip to content

Ky nuk është rrotacion, kjo është dita e parë e lirisë pa diskriminim e pa armiq klasash

24. 06. 2013 nga Vëzhguesi

Version i përshtatshëm për printim
Bashkejetese

Të punojmë së bashku për të lulëzuar vendin - ky duket se është mesazhi i vërtetë i këtyre zgjedhjeve, ose shuplaka që ato i dhanë armikut të bashkëjetesës paqësore, Sali Berisha. Jo më ndarje, jo më armiq, jo më diskriminim, jo më diversion, jo më "talebanë", por vetëm konstruktivitet të moderuar për interesat madhore të vendit.

Për hir të së vërtetës duhet pranuar se në Shqipëri ekzistojnë dy rryma politike që janë ndeshur fort prej një shekulli. Sipas një këndvështrimi objektiv ekspertësh, Shqipëria është karakterizuar nga një konflikt 100 vjeçar mes së ashtuquajturës "Ballkani i ballkanasve" Vs. atyre që kanë synuar botën perëndimore.

"Ballkani i ballkanasve" ishte një koncept politik i themeluar nga fqinjët pas dëbimit të Perandorisë Osmane. Në themel të saj qëndron indipendenca e Ballkanit ndaj pjesës tjetër të botës, dhe bashkëpunimi vetëm mes vendeve ballkanike.
Në Shqipëri kjo rrymë u soll nga Essad Toptani, dhe pavarësisht se me kalimin e viteve e dekadave ajo ka marrë pamje e foto të ndryshme (Essad, Ahmet, Enver, Ramiz, Sali) thelbi i saj ka mbetur i njëjtë.

Pa hyrë shumë në detaje, mbase duhet pranuar fakti se ky koncept nuk ështe edhe aq artificial ose mekanikisht i importuar nga fqinjët, por ndoshta me të vërtetë një pjesë e shqiptarëve mendojnë ashtu.

Në këto rrethana, pasi provuam gjithçka në këto 100 vjet, s'mbetet gjë tjetër tani veç bashkëjetesës paqësore, për hir të interesave të zhvillimit të vendit. Konflikti e përplasja nuk dhanë rezultat, 100 vjet "luftë civile" me njëri-tjetrin e kanë mbushur kupën tashmë, të humbur dolën vetëm Shqipëria e shqiptarët.

Bashkëjetesa paqësore mes të kundërtave (sado ekstreme) është liria dhe demokracia e vërtetë. Kjo është eksperienca që transmeton bota e civilizuar, dhe ne duhet të bindemi se është më produktivja.

Te punojmë së bashku, ky është mesazhi i vërtetë i 24 qershorit. Sot triumfoi liria, kaq.

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar