Skip to content

Pasiguria e jetës

26. 03. 2009 nga Artan Mullaj

Version i përshtatshëm për printim

Duke qënë një lajm ogurzi, vrasja e dy punonjësve të policisë në veri të vendit, përcolli një pështjellim të ri në opinionin publik:indinjatë, dëshpërim, trazim dhe pasiguri. Ashtu si edhe në raste të tjera të ngjashme, ky pështjellim frike e zemërimi, përzier me urejtjen e lodhur civile ndaj krimit dhe ndaj pasigurisë së përgjithshme.. nuk ishte thjesht një lajm i skëtershëm, që trazoi ndërgjegjien qytetare, dhe u bë sakaq një e shkuar. Ishte dicka më shumë: 8 jetimë të rinj u shtuan në Shqipëri, ndërkohë që krimi është aq i pushtetshëm, dhe siguria është ende aq e brishtë, sa kjo ngjarje mund të merret si një gjëmim i frikshëm këmbane për këdo:

Jeta shqiptare nuk ka aq rëndësi edhe vlerë! Të mos ekzistosh-frika universale që buron nga kjo frazë, në Shqipëri ka një imunitet autentik, të pakrahasueshëm dhe ndoshta të paperceptueshëm për shumicën e tokësorëve.

… Dy burra e mbyllën në mënyrën më absurde, pra dhe më të padrejtë, faqen e fundit të ekzistencës në një histori makabre.. duke lënë pas fëmijë jetimë, pesimizëm dhe mendime të dëshpëruara njerëzish të shqetesuar për faktin se.. jeta në Shqipëri mban ere vdekje. Kjo përzierje reale dhe e trishtë e dy botëve të taksura njerëzore, është një fenomen emocional, dhe pse jo unikal, për sa kohë që kjon nakatosje reale ndodh krejt rastësisht dhe fare thjesht në këtë vënd gjëmash… progressive.. Duket sikur më shumë se një faqe e re e zezë në librin e madh të fatkeqësive shqiptare, kjo është një dukuri ku jeta e shpërfillur dhe humbjet njerëzore (pasojë e kësaj shpërfilljeje), konkurojnë ligjet e qeta të natyrës…. Aq sa, në këtë aventurë, ku bashkekohësit i humbasim së bashku, humbjet janë më të mëdha nga çmund të durohen..

Nuk është hera e parë që komuniteti shokohet nga ngjarje të tilla, ku burrat e rendit, këta miq të humbur të miqve të tyre të rrezikuar, këta prindër të rinj me fëmijë të paritur, shkruajnë lamtumirën e fundit me bojë prej gjaku… Këto krijesa përfaqësojnë sigurinë e investuar publike, ndaj humbja e tyre e bën shumëfish të pasigurtë jetën civile.. Kur nuk janë të sigurtë misionarët e sigurisë, policët edhe gjykatësit, përfytyroni verberinë e shpirthjeshtëve që e shtyjnë jetën e tyre në një fushë simbolikisht të minuar!

Por rrënia kësisoj e aksioneve të jetesës nuk është se vjen vetëm nga pushteti i krimit, i cili edhe kur tulatet, si vullkani, shpërthen pabesisht.. Problemi është se edhe vetë shoqëria ka nje amplifikim pasigurie të pandryshueshëm, nën presionin e mjerimit dhe varfërisë.. Rrëqethja vjen njëlloj nga vetëvrasjet e shtuara, nga mbylljet massive të shtigjeve … Para pak ditësh, një inxhinier, një intelektual, një qytetar u dorëzua në duelin e vrazhdë me realitetin. U vetëvra, duke shtuar numurin e jetimëve dhe duke e shënuar emrin në listën e viktimave të krizës ekonomike.. Nuk është rast I vecantë tek ne! Dëshpërimi është një hap larg marëzisë.. Kur kjo marrëzi fillon e shndërohet në një tendencë kolektive, ja fataliteti atëherë, zëre se duket në horizont, atje tej...

Nëse kthejmë vëmendjen tonë në kujtesën e gërvishtur të shqiptarëve, aq më pak do të guxojmë të shpresojmë qetësi kolektive në ditët përpara… E shkuara jonë e tranzicionit nuk është vec një mozaik ngjarjesh të zeza e të pashembëllta, pasoja të krimit ordiner, të krimit shtetëror, të fatkeqësive natyrale, sociale apo artificiale.. Mbrapa kemi lënë armatën e të humburve në kufijtë e Shqipërisë, rininë e flijuar të 97-ës, turpin dhe krimin e Otrantos, Tragjedinë e Farkës, rrallimin e minatorëve në Bulqizë, dhe shumë të tjera, për ta mbyllur me Gerdecin me gjak ende të patharë… Tek ne ndodh kaq shpesh edhe kaq rëndom humbja fluturimthi e jetës, dhe kaq thjesht, dhe kaq pa kuptim, sa mund të supozohet se tani, kjo është shndruar në dicka rutinë…

Le të jemi indiferentë sa të duam, dhe le ta shpërfillim këtë rutinë kobe! Si kurëkund tjetër, energjia jonë qenësore, ka aksione të ulëta në bursën biologjike të krijimit… E dimë këtë gjë, e shohim këtë gjë në sytë tanë, dhe e pranojmë këtë realitet me qesëndi, me eufori, me krenarinë e sfidës së kotë… E konstatojmë!E dimë gjithashtu që këto ngjarje janë më shumë se gjëmime këmbane!

E dimë gjithashtu që janë ngasje terrori shpirtëror, dhe jo vetëm kaq.
E dimë që siguria e jetës nuk është thjesht cështje kualiteti, as ceshtje identiteti. Madje, përzier me to, as cështje morali! Si një koncept, ajo është vetëdija e pastër që intelekti njerëzor ka krijuar për të bashkëshoqëruar instiktin universal të vetëmbrojtjes, në një bashkërendim për mbrojtjen e vlerës maksimale, që është ekzistenca.

Kur kjo siguri është e cënuar, i cënuar është koncepti themelor, psikologjia jetësore, dhe rrjedhimisht, personaliteti njerëzor….

Por aq na bën! …në shpinë kemi kallo të ashpra durimi!
Të gjitha bashkë janë një dhimbje e skajshme dhe kobë e madhe për tu duruar nga një popull i vogël brenda kaq kohe..

Por prapë, aq na bën!
Së paku, këto vuajtje popullore të kujtesës do të duhej të kishin përmirësuar kodin e sigurisë, dhe aksionet e jetës shqiptare do duhej të ishin rritur.

Por kjo nuk ka ndodhur..
Përse nuk ka ndodhur? Përse pësimet dhe fatkeqësitë nuk bëhen mësim në këtë grupim fatkeqësish historike, por përsëriten vullnetshëm.. Përse kemi humbur respektin për veten, në vend që të ndodhte dhunshëm e kundërta?

Përse krimi godet me të njejtën dinamikë, dhe përse pasiguria ka densitetin e atmosferës rreth nesh, si përherë?.. Konstatimet janë po ato, vit pas viti! Jeta është njëlloj e pavlerë, moment pas momenti.

Duket sikur kështu do të jetë, për sa kohë do të mungojë kolektori civil i kundërshtisë.. marrja pjesë, regëtimi për të shpresuar.. Kështu do të jetë për sa kohë do të mungojë pasioni civil, dhe në rrjedhën shqiptare të kohës, do të ketë vetëm rutinë.

Sot, njëlloj si die, njëlloj si nje vit më parë, njëlloj si në cdo kohë të tranzicionit më të hatashëm, me një mefshtësi të hatashme, ne rrezikohemi ironikisht gjithandej! Rrezikohemi nëpër ambjente ndërtimi. Rrezikohemi nëpër rrugët pa sinjalistika dhe pa shërbimet e duhura…. rrezikohemi nga shpërthimet e municioneve, nga kriminelët e shtuar dhe psikopatët e shtuar, nga hajdutëritë, nga inhoranca, nga drejtësia e munguar dhe nga mungesa e shtetit ligjor gjithashtu. Dhe pastaj, tinëzisht, djallëzisht, rrezikohemi nga ushqimet e pakontrolluara, ndërtimet, ilacet, shërbimet… pastaj përditë, rrezikohemi nga politika e keqe, nga korrupsioni, dhe natyrisht, pa shpresë, pa pushim, pa ndalur, rrezikojmë nga vetvetja.. …

Rreziku vazhdon!
Eshtë koha ta shohim në sy!.. .

Autori
Kritiket-Blog Letersi Kritika-dejavu Kalendar